Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës

Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës – AMPEK është i alarmuar me rënien drastike të Kosovës në renditjen e Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

Nga vendi i 75 ku ishte vitin e kaluar, këtë vit Kosova renditët në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete për të cilat janë bërë matjet.

Fakti që në mesin e 180 shteteve, Kosova ka rënien e dytë më të madhe në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025 duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Kjo renditje duhet të merret shumë seriozisht dhe nevojitet reflektim e veprim konkret nga të gjitha institucionet përkatëse për të forcuar lirinë e mediave, mbrojtjen e gazetarëve, për të garantuar çasjen në informacion dhe për të krijuar kushte më të qëndrueshme ekonomike për funksionimin e tyre.

Raporti kritikon miratimin e Ligjit për KPM-në, të cilin e cilëson si kundërthënës që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e institucionit – KPM-së.

Vitin e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për Komisionin e Pavarur për Media. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

AMPEK është thellësisht i shqetësuar me këtë renditje, dhe fton të gjithë akterët relevant institucional, të industrisë mediale e shoqërisë civile për bashkëpunim, ndër të tjera, në hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë në rradhë të parë infrastrukturën ligjore për funksionimin e mediave dhe gazetarëve dhe rrjedhimisht edhe renditjen në indeksin e lirisë së mediave.